Dita Botërore e Shëndetit – Aktivitet promocional me temë “Shëndet për të gjithë njerëzit!”

Në dt. 7 Prill 2023, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit, Qendra Kërkimore Shkencore për Shëndetin Publik, në bashkëpunim me Departamentin e Kujdesit Shëndetësor, pranë Fakultetit të Shëndetit, Universiteti ‘Ismail Qemali’ Vlorë, zhvilloi aktivitetin promocional me temë “Shëndet për të gjithë njerëzit!”.

Këtij aktiviteti sensibilizues iu bashkuan edhe studentët e vitit të dytë Infermier i Përgjithshëm dhe Mami Infermier të Fakultetit të Shëndetit.

Ky aktivitet filloi në trajtën e një marshimi sensibilizues përgjatë bulevardit Vlorë-Skelë, gjatë të cilit studentët mbanin në duar postera me infomacione të shumta mbi sëmundjet dhe problematikat më të shpeshta që ndeshen në komunitet, si: hipertensioni, diabeti, obeziteti, depresioni, alergjitë stinore, parandalimi i duhanpirjes, parandalimi i kancerit të gjirit, parandalimi i aksidenteve rrugore, reduktimi i konsumit të alkoolit, si dhe përshtatja e një stili të shëndetshëm jetese, etj.

Gjatë marshimit u shpërndanë 200 fletëpalosje me informacione të ndryshme rreth kujdesit që duhet treguar për ruajtjen e shëndetit, përshtatjen e një stili të shëndetshëm jetese duke përshtatur një dietë të shëndetshme dhe një aktivitet fizik të rregullt, si dhe parandalimin apo trajtimin e problemeve apo sëmundjeve të ndryshme që prekin komunitetin tonë.

Më pas aktiviteti u përqëndrua tek sheshi “Tre Rracat” ku anëtarët e grupit të punës së bashku me studentët, ofruan për komunitetin (160 persona adultë dhe të moshuar), këshilla shëndetësore dhe shërbime shëndetësore falas, si: matja e Tensionit Arterial, matja e glicemisë dhe matja e peshës trupore.