Dita Botërore e Shëndetit

Në dt. 11 Prill 2024, në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit, Qendra Kërkimore Shkencore për Shëndetin Publik, në bashkëpunim me Departamentin e Infermierisë dhe Departamentin e Kujdesit Shëndetësor, pranë Fakultetit të Shëndetit, Universiteti ‘Ismail Qemali’ Vlorë, zhvilloi aktivitetin promocional me temë “Shëndeti im, e drejta ime”.

Këtij aktiviteti sensibilizues iu bashkuan edhe studentët e vitit të parë, të dytë dhe të tretë Infermier i Përgjithshëm dhe Mami Infermier të Fakultetit të Shëndetit.

Tema e këtij viti u zgjodh për të mbrojtur të drejtën e secilit, kudo që ndodhet, për të pasur akses në shërbime shëndetësore, arsim dhe informacion, si dhe ujë të pastër, ajër të pastër, ushqim të mirë, strehim cilësor, kushte mjedisore dhe kushte për një punë të denjë, si dhe trajtim të barabartë pa diskriminim.

E drejta për shëndet ndahet në disa të drejta specifike si:

– E drejta për një sistem mbrojtës të shëndetit

– E drejta për parandalimin dhe trajtimin parandalues të sëmundjeve

– E drejta për akces të medikamenteve bazë

– Promocioni i shëndetit të nënës dhe fëmijës

– E drejta për akces në shërbimet shëndetësore

– Edukimi dhe ndërgjegjësimi mbi shëndetin dhe ruajtjen e tij

Aktiviteti filloi në trajtën e një marshimi sensibilizues përgjatë bulevardit Vlorë-Skelë, gjatë të cilit studentët mbanin në duar postera me infomacione të shumta mbi sëmundjet dhe problematikat më të shpeshta që ndeshen në komunitet, si: hipertensioni, diabeti, obeziteti, depresioni, alergjitë stinore, parandalimi i duhanpirjes, parandalimi i kancerit të gjirit, parandalimi i aksidenteve rrugore, reduktimi i konsumit të alkoolit, përshtatja e një stili të shëndetshëm jetese, etj.

Gjatë marshimit u shpërndanë fletëpalosje me informacione të ndryshme rreth kujdesit që duhet treguar për ruajtjen e shëndetit, përshtatjen e një stili të shëndetshëm jetese duke përshtatur një dietë të shëndetshme dhe një aktivitet fizik të rregullt, si dhe parandalimin apo trajtimin e problemeve apo sëmundjeve të ndryshme që prekin komunitetin tonë.

Më pas aktiviteti u përqëndrua tek sheshi “Tre Rracat” ku anëtarët e grupit të punës së bashku me studentët, ofruan për komunitetin, këshilla shëndetësore dhe shërbime shëndetësore falas, si: matja e Tensionit Arterial, matja e Glicemisë dhe matja e Peshës trupore.