+355 33 222288

info@univlora.edu.al

Zbatimi i projekteve të financuar nga Universiteti ‘Ismail Qemali’ Vlorë nga ana e QKSHSHP në Fakultetin e Shëndetit.

Qendra Kërkimore Shkencore e Fakultetit të Shëndetit në kuadër të projektit “Aderenca ndaj dietës mesdhetare, depistimi për kequshqyerje dhe aneminë ferriprive në stafin e Fakultetit të Shëndetit”, i cili është një projekt i financuar nga fondi kërkimor shkencor i Universitetit të Vlorës, ka nisur zbatimin e tij dhe ka përfunduar me sukses fazën e parë.

Fokusi i këtij projekti është një studim eksperimental i pilotuar për herë të parë në popullatën staf akademik, ndihmës akademik dhe administrativ të Fakultetit të Shëndetit.

Ky projekt është një bashkëpunim i laboratorit mikrobiologjik klinik të Fakultetit të Shëndetit me laboratorin Caravelli sh.p.k. Vlorë.

Qëllimi i projektit është të vlerësojë aderencën ndaj dietës mesdhetare, depistimin e kequshqyerjes dhe anemisë feriprive.

Faza e parë e projektit konsistoi në:

Marrjen e mostrave të gjakut sipas rregullave përkatëse në mjediset e laboratorit të fakultetit për depistimin e anemisë ferriprive duke matur nivelet e Ferritinës në gjak. Pjesëmarrësit në studim u informuan për natyrën e studimit dhe dhanë konsentin me shkrim. Gjithashtu ata u pajisën dhe me një numër identifikimi nga laborantja me qëllim që të sigurohej anonimiteti i tyre gjatë etapave të ndryshme të zhvillimit të projektit dhe gjithashtu që të bëhej lidhja midis të dhënave të siguruara prej tyre nga burime të ndryshme të mbledhjes së të dhënave si: pyetësorët, matjet, intervistat dhe ekzaminimi fizik.
Administrimin e pyetësorëve të standartizuar anonimë, që shërbyen për mbledhjen e të dhënave në lidhje me aderencën ndaj dietës mesdhetare, sjelljet ndaj ushqyerjes, kequshqyerjen, stilin e jetesës, depistimin e kequshqyerjes dhe anemisë, pasi u matën pesha, lartësia, u llogarit BMI dhe niveli i rrezikut për kequshqyerje të pjesëmarrësve në studim.
Analizën e të dhënave dhe validizimin e pyetësorëve PREDIMED dhe AEBQ.
Edukimin shëndetësor të subjekteve në ambjentet e Qendrës Kërkimore Shkencore për Shëndetin Publik mbi aderencën ndaj dietës mesdhetare, rolin e dietës mesdhetare në shëndet, pasojat e ushqyerjes jo të shëndetshme, kequshqyerjen, konsumin e ushqimeve me përmbajtje hekuri dhe vitaminash, marrjen suplementeve të hekurit dhe vitaminave nën kontrollin e mjekut, mbajtja e një aktiviteti fizik të rregullt, hidratimi adekuat, si dhe vazhdimi i edukimit për një periudhë 3 mujore nëpërmjet faqes së instagramit @idaproject2023, me qëllim që njohuritë në lidhje me dietën mesdhetare, kequshqyerjen dhe aneminë ferriprive, të jenë sa më të qëndrueshme. Gjatë seancës së edukimit shëndetësor stafi akademik u njoh gjithashtu edhe me gjendjen aktuale dhe statusin e tyre në lidhje me aderencën ndaj dietës mesdhetare dhe nivelin e rrezikut për kequshqyerje

Pas analizës së të dhënave, pjesëmarrësit në studim që kishin vlera normale të Ferritinës në gjak, dolën nga studimi, ndërsa pjesa tjetër e pjesëmarrësve u nda në dy grupe në mënyrë rastësore me metdën e llotarisë, në grupin eksperimental dhe grupin e kontrollit.

Grupi eksperimental do ti nënshtrohet protokollit eksperimental, ndërsa grupi i kontrollit do të vazhdojë stilin e mëparshëm të jetesës dhe pas 3 muajsh nga depistimi i anemisë ferriprive (matja e parë e nivelit të Ferritinës në gjak) të dy grupet do të bëjnë rivlerësimin në lidhje me ndryshimin e sjelljeve lidhur me dietën mesdhetare, sjelljet ndaj ushqyerjes, kequshqyerjen dhe aneminë ferriprive (rimatja e nivelit të Ferritinës në gjak). Kjo periudhë përkon edhe me fazën e dytë të studimit.

Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm për zhvillimin e kërkimit shkencor në Fakultetin e Shëndetit dhe Universitetin e Vlorës, pasi është i pari i këtij lloji që po zbatohet në infrastrukturën e fakultetit dhe nga stafi i Qendrës Kërkimore Shkencore për Shëndetin Publik.

Projekti koordinohet nga PhD. Cand. Brunilda Subashi, Prof. Dr. Yllka Stramarko, Prof.Asoc. Fatjona Kamberi, Dr. Glodiana Sinanaj dhe PhD.Cand. Krenar Malaj, përkatësisht staf akademik dhe kërkimor, Znj. Dalila Llanaj, laborante dhe Znj. Enkeleda Mahilaj, specialiste e kërkimit shkencor, si dhe dy studentet e Masterit Shkencor Andia Pelari dhe Nxhiko Pelari.

Realizimi i këtij projekti është pasqyrim i investimeve dhe mbështejes së Universitetit të Vlorës në:

▪︎ Rritje të kapaciteteve kërkimore-shkencore të stafit të UV

▪︎ Akses të infrastrukturës kërkimore – shkencore

▪︎ Fuqizim i UV në fushën e kërkimit.

Më poshtë janë paraqitur disa foto gjatë etapave tëndryshme të fazës së parë të procesit të zbatimit të projektit.